Gazetarët e serbëve e lidhën këtë temë me Marrëveshjen e Brukselit, e cila sipas tyre përfshin krijimin e një Asocacioni të Komunave serbe. Kurti e refuzoi këtë pretendim, duke shtuar se në Prishtinë nuk ka asnjë “komunë serbe”, por vetëm komunitete me shumicë serbe.
“Jo, jo nuk qëndron ashtu. Ndoshta në Beograd ekzistojnë dokumete të tilla. Në Prishtinë nuk ka komuna sipas përkatësisë nacionale, ka individë të përkatësisë nacionale. Nuk mund të jetë komuna serbe, mund të jetë me shumicë serbe”, tha Kurti.
Kurti theksoi gjithashtu se Serbia nuk mund të kërkojë diçka që vetë nuk e ka implementuar, duke iu referuar grupimeve etnike pakicë në Serbi që nuk kanë organizime të ngjashme. “Është me rëndësi të dini se ajo marrëveshje e para 10 vjetëve nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë angazhohem për raporte të mira të ndërsjella në mes të Kosovës dhe Serbisë të cilat do të bazohen në reciprocitet”, tha ai.
Kurti përfundoi duke theksuar rëndësinë e statusit të kandidatit të Kosovës në Bashkimin Europian dhe kërkoi mbështetje nga institucionet evropiane për këtë proces.




