Në këtë rast, aktakuzat dhe procedurat gjyqësore do të mund të kalonin te Departamenti Special i gjykatave vendore, ndërsa materialet hetimore dhe dosjet përkatëse do t’i kalonin Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Projektligji parashikon gjithashtu rregulla për transferimin e provave, dosjeve, masave për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe, në rrethana të përcaktuara me ligj, edhe të personave të privuar nga liria.
Një tjetër dispozitë që pritet të tërheqë vëmendje lidhet me nivelin maksimal të dënimit. Neni 15 i projektligjit propozon që Dhomat e Specializuara të mos mund të shqiptojnë dënim më të lartë se 15 vjet burgim. Drafti e lidh këtë propozim me parimin e lex mitior, sipas të cilit zbatohet ligji më i favorshëm për personin e dënuar, kur plotësohen kushtet përkatëse.
Sipas projektligjit, dënimet e shqiptuara nga Dhomat e Specializuara do të ekzekutoheshin në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.
Një dispozitë tjetër parashikon mundësinë që personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara të mund të përfitojnë nga falja individuale e Presidentit të Republikës së Kosovës, në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin për Faljen.
Drafti propozon gjithashtu që juridiksioni të përcaktohet në mënyrë individuale për secilin të akuzuar dhe për secilën pikë të aktakuzës. Gjykata do të duhej të përcaktonte veprën penale, faktet konkrete, kohën, vendin, bazën juridike të juridiksionit dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me pretendimet specifike të përmendura në raportin përkatës të Këshillit të Evropës.
Një tjetër element i projektligjit është krijimi i një mekanizmi të monitorimit ndërkombëtar. Sipas draftit, Kuvendi do të mund të autorizonte organizata të specializuara ndërkombëtare për të monitoruar respektimin e të drejtave të njeriut, standardet e gjykimit të drejtë, trajtimin e personave të privuar nga liria dhe funksionimin institucional të Dhomave të Specializuara.
Raportet e këtyre organizatave do të kishin karakter vlerësues dhe rekomandues dhe, sipas draftit, nuk do të prodhonin efekt juridik mbi vendimet, urdhrat apo aktgjykimet e Dhomave të Specializuara.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe çështje të tjera, si kontrolli kushtetues, arkivat, mbrojtja e dëshmitarëve, marrëdhëniet me shtetin pritës dhe koordinimi ndërmjet Dhomave të Specializuara dhe institucioneve vendore të drejtësisë.
Në tërësi, dokumentet e projektligjit tregojnë se iniciativa shkon përtej një ndryshimi teknik të legjislacionit ekzistues. Ajo propozon ndryshime në juridiksion, procedurat pas Apelit, transferimin e mundshëm të rasteve në sistemin e drejtësisë së Kosovës, kufirin maksimal të dënimeve, mënyrën e ekzekutimit të tyre dhe mundësinë e faljes presidenciale.
Nëse projektligji do të procedohet më tej në Kuvend, këto dispozita pritet të jenë ndër çështjet kryesore të debatit juridik dhe institucional gjatë shqyrtimit të tij.
Perspektiva24 –Të parët për lajmin e fundit.
