KURTI MBLEDH QEVERINË ONLINE, MERREN DISA VENDIME – ÇFARË U VENDOS?

Kurti mbledh Qeverinë online, miratohen disa vendime të rëndësishme

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të martën një mbledhje elektronike, gjatë së cilës ka miratuar një sërë vendimesh dhe dokumentesh që prekin disa fusha, përfshirë energjinë, bujqësinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, kabineti qeveritar ka miratuar Programin e Projektligjeve për periudhën 2026–2028, si dhe Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë në Kosovë.

Ky projektligj përcakton mënyrën e organizimit dhe zbatimit të regjistrimit të bujqësisë, institucionet përgjegjëse dhe procedurat për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.

Në mesin e vendimeve të miratuara është edhe themelimi i Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve materiale të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. Komisioni do të funksionojë në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.

Qeveria ka miratuar gjithashtu themelimin e një komisioni për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në rastet e destabilizimit të tregut.

Një tjetër vendim ka të bëjë me Koncept-dokumentin për Fushën e Akreditimit, i cili synon zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë në Kosovë dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas Kryeministrisë, zhvillimi i kësaj fushe konsiderohet i rëndësishëm për funksionimin e tregut të brendshëm, rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe lehtësimin e qasjes së tyre në tregjet ndërkombëtare.

Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe rialokimi i mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, në kuadër të projekteve të bashkëfinancimit me kuvendet komunale. Ndryshimi lidhet me transferimin e mjeteve nga një projekt ekzistues kapital në një projekt të ri, në përputhje me memorandumet përkatëse të mirëkuptimit.

Në fushën e energjisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve, Qeveria ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2026–2027, si dhe Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë.

Po ashtu, është miratuar Programi Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

Në fund, kabineti qeveritar ka miratuar edhe kërkesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, të datës 1 tetor 2026, për konfirmimin e interesit të përgjithshëm publik lidhur me ushtrimin e aktiviteteve përkatëse nga ndërmarrja publike “Trepça” Sh.A.

Share:WhatsAppFacebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *