Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen drejtuar Serbisë për nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë, duke e cilësuar atë ngjarje si një kërcënim serioz për sigurinë në rajon.
Përmes një deklarate për media, zëdhënësi i BE-së bëri të ditur se Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë ndaj personave që ndodhen në territorin e saj. Kjo çështje është ngritur edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, gjatë një takimi zyrtar në New York me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Sipas deklaratës së BE-së, ngjarja e 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë, kërkon llogaridhënie të plotë nga përgjegjësit.
Nga Brukseli u nënvizua se presin bashkëpunim të plotë nga autoritetet e Serbisë përmes kanaleve të asistencës së ndërsjellë ligjore, duke kërkuar veprime të menjëhershme për përmbylljen e kësaj çështjeje.
BE-ja rrit presionin ndaj Serbisë: Kërkesat e reja të Brukselit




