Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish, këtë radhe pas thirrjes së disa organizatave të shoqërisë civile, duke kërkuar që ato të distancohen qartë nga dhuna dhe keqpërdorimi i të miturve.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale: “Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty. E ndërkohë distancohuni qartë nga dhuna, gurët, zjarrvënia e institucioneve, keqpërdorimi i të miturve, që të ndihmoni kësisoj edhe protestuesit paqësorë të ushtrojnë të drejtën e tyre, e cila nuk rrezikohet nga policia po nga dhunuesit që i prijnë maskaradës pseudo‑studentore. Dhe po, të respektojmë të gjithë bashkë të drejtën e protestës paqësore – nga dhunuesit në krye të protestës! Ta mbrojmë të gjithë bashkë jetën dhe dinjitetin e çdo personi – nga dhuna dhe manipulimi! Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik dhe asnjë lojë nuk duhet bërë me jetën e vendit. Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”.
Me këtë mesazh, Rama thekson rëndësinë e dialogut paqësor dhe i fton të gjithë qytetarët dhe organizatat që të mbrojnë të drejtën e protestës paqësore, duke i inkurajuar të shmangin çdo formë dhune dhe manipulimi.




