Shtesat e fëmijëve: Ministri zbulon çfarë pritet të ndryshojë për familjet

Hoti sqaron ndryshimin e numrit të përfituesve të shtesave për fëmijë: Ja çfarë thotë ministri

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas diskutimeve lidhur me ndryshimin e numrit të përfituesve të Programit të Shtesave për Fëmijë në Kosovë.

Hoti ka kundërshtuar pretendimet se ndryshimi i numrit të përfituesve mund të interpretohet automatikisht si keqpërdorim apo dëm financiar. Sipas tij, numri i përfituesve është dinamik dhe ndryshon në vazhdimësi, në përputhje me kriteret e programit dhe përditësimin e të dhënave.

Sipas ministrit, në ndryshimin e numrit të përfituesve ndikojnë disa faktorë, përfshirë përfshirjen e fëmijëve të rinj në program, arritjen e moshës 16-vjeçare, ndryshimin e rrethanave të përfituesve, përditësimin dhe harmonizimin e të dhënave me regjistrat institucionalë, si dhe proceset e rregullta të verifikimit.

Një pjesë e rëndësishme e sqarimit të Hotit lidhet me rastet kur kërkohet verifikim shtesë. Ai ka bërë të ditur se pagesa mund të suspendohet përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

“Suspendimi gjatë procesit të verifikimit nuk nënkupton automatikisht largim përfundimtar nga programi apo konstatim të keqpërdorimit”, ka deklaruar Hoti.

Ministri ka theksuar se vendimet për vazhdimin ose ndërprerjen e përfitimit merren në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me aktet në fuqi, duke respektuar edhe të drejtat procedurale të përfituesve.

Sipas tij, diferenca e numrit të përfituesve nga një muaj në tjetrin nuk mund të konsiderohet në tërësi si numër i personave që kanë keqpërdorur programin dhe as të përkthehet automatikisht në dëm financiar.

“Çdo rast trajtohet dhe verifikohet individualisht, ndërsa aty ku eventualisht konstatohet përfitim i pabazuar, veprohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Hoti.

Reagimi i ministrit vjen pasi është raportuar për një rënie të numrit të fëmijëve përfitues gjatë muajve të fundit. Sipas raportimit të KOHA-s, numri i përfituesve ishte ulur me mbi 30 mijë brenda katër muajve, ndërsa nga institucionet është sqaruar se ndryshimi i shifrave nuk nënkupton domosdoshmërisht parregullsi.

Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë administrimin dhe verifikimin e programit, me qëllim që shtesat t’u ofrohen fëmijëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Perspektiva24 –Të parët për lajmin e fundit.

Share:WhatsAppFacebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *